Errët
Ndritshëm

Caktohet paraburgimi njëmujor për të dyshuarin për krime lufte ndaj civilëve

17.09.2025

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, të mërkurën ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin D.N., i dyshuar për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke theksuar se ekziston dyshimi i bazuar se D.N., në cilësinë e komandantit të Nënstacionit Policor në Zhegër, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar ose ndëshkuar kryerësit e krimeve të kryera nga forcat serbe dhe paramilitarët më 30 prill 1999.

Sipas aktakuzës, gjatë sulmit janë vrarë 13 anëtarë të familjes Hyseni dhe Shabani në shtëpinë e familjes Hyseni. D.N., i lajmëruar nga të dëmtuarit, ka braktisur vendin e ngjarjes pa ndërmarrë masat e nevojshme brenda kompetencave të tij, duke lejuar kështu shkaktimin e pasojave të rënda.

Gjykata ka vlerësuar se pesha e veprës penale është e rëndë dhe komplekse, dhe paraburgimi është i domosdoshëm për sigurimin e suksesit të procedurës penale. Gjithashtu, ekziston rreziku i arratisjes, pasi i pandehuri është shtetas i Serbisë.

Errët
Ndritshëm