Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e Kosovës ka arrestuar të hënën një person me inicialet D.N., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”.
I dyshuari D.N. është arrestuar në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, në kufi me Serbinë.
Sipas Prokurorisë Speciale, D.N. dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, nga 13 deri më 30 prill 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Komunën e Gjilanit.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.