Amerika i dha një shpullë të fortë Kosovës të premten.
Ajo pezulloi dialogun strategjik me të, shkaku, siç u tha, veprimeve të Albin Kurtit.
“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e Qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.”
Profesori universitar, Gëzim Qerimi, thotë se ky pezullim është alarm i rëndë për sigurinë kombëtare.
“Marrëdhënia me SHBA-të është interes jetik e kombëtar dhe themeli i sigurisë së Kosovës. Pezullimi i Dialogut Strategjik është një alarm i rëndë për sigurinë tonë kombëtare dhe dëmi më i madh diplomatik që ka përjetuar Kosova në 25 vitet e fundit.”
SHBA-të thanë se shpresojnë se do të ndjekin përpjekje që kanë për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike, në dobi të popullit amerikan dhe atij kosovar, në të ardhmen kur të jetë e përshtatshme.