Një seri provokimesh me grafite dhe simbole nacionaliste ka rritur shqetësimet për sigurinë publike në Bujanoc, qytet me shumicë shqiptare.
Kohët e fundit, në qendër të qytetit është shfaqur grafiti me emrin e kriminelit të luftës Ratko Mladić në ngjyrë të kuqe, pranë katër ‘C’-ve, një simbol i njohur i nacionalizmit serb dhe provokimit të qëllimshëm ndaj shqiptarëve.
Kjo nuk është hera e parë. Në gusht u thye billboard-i i Komandant Lleshit në përvjetorin e rënies së tij, ndërsa më herët ishin shfaqur grafite me thirrje për vrasje pranë Shtëpisë së Shëndetit.
Autoritetet lokale dhe policia serbe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim.
Politikani nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi, i ka quajtur grafitet pjesë të një procesi të serbizimit sistematik të Bujanocit, i cili realizohet jo me dhunë të hapur, por përmes mjeteve më të sofistikuara.
“Provokimet e fundit, veçanërisht grafiti me emrin e kriminelit të luftës Ratko Mladić, konsiderohen një kërcënim serioz për komunitetin shqiptar dhe për multietnicitetin e qytetit, duke rritur tensionet dhe ndjenjën e pasigurisë mes banorëve,” tha ai.