Një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në fshatin Dollc të komunës së Klinës. Aksidenti ka përfshirë një veturë dhe një autobus, ndërsa automjetet ishin me targa vendore, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, aksidenti dyshohet se ka ndodhur për shkak se drejtuesi i veturës, i cili ishte duke qarkulluar në drejtim të Prishtinë–Pejë, nuk i është përshtatur shpejtësisë dhe kushteve të rrugës, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me pjesën ballore të autobusit.
“Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i veturës ka ndërruar jetë për shkak të lëndimeve të marra. Kjo është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Ndërkaq, pesë persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, i cili ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.