Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të një koloneli të Policisë së Kosovës në Prizren, i dyshuar për përfshirje në vepra penale.
Ai ka deklaruar se krimi nuk ka vend në shoqëri, e aq më pak në radhët e Policisë së Kosovës.
Në kuadër të këtij aksioni të gjerë, është arrestuar ish-drejtori rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi.
“Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e djeshëm, ku u arrestuan katër qytetarë, ndër ta edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës. Krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ministri ka shtuar se mbështet dhe insiston në veprime edhe më të vendosura të IPK-së, në mënyrë që radhët e Policisë të pastrohen nga elementë që njollosin emrin e këtij institucioni.
“Policia e Kosovës duhet të jetë adresë e luftimit të krimit dhe asnjëherë, në asnjë rrethanë, çerdhe banimi apo mburojë e veprimtarive kriminale”, ka shtuar ai.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, ka arrestuar katër persona.