Ndeshja e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë nuk do të mbahet mend për lojën, por për koret raciste dhe urrejtjen etnike që shpërthyen nga tribunat.
Tifozët maqedonas i drejtoheshin shqiptarëve me fjalë fyese dhe kërcënuese:
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër!”
Gjithashtu, u dëgjuan edhe thirrje të tjera raciste, si:
“Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”.
Krejt ky ofendim ndaj shqiptarëve po ndodhte para syve të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. I njëjti nuk pati asnjë reagim publik për gjuhën denigruese që huliganët maqedonas përdoren ndaj shqiptarëve.
Pikërisht kjo qasje u kritikua ashpër nga politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Arben Taravari, Kryetar i Partisë Alternativa dhe ish-Ministër i Shëndetësisë, tha se përgjegjësia e Mickoskit është e madhe që të dënojë menjëherë këto fyerje:
“Fyerjet e ultrasve ndaj shqiptarëve janë shenjë e rrezikshme e përhapjes së urrejtjes dhe shovinizmit në shoqërinë tonë. Përgjegjësia e qeverisë dhe veçanërisht e kryeministrit Mickoski është e madhe që të dënojë menjëherë këto fyerje dhe të ndërmarrë hapa konkretë për ndalimin e këtij fenomeni të papranueshëm.”
I të njëjtit mendim sa i përket reagimit të Mickoskit ishte edhe Nait Hasani, deputet i BDI-së:
“Thirrjet raciste dhe fyerjet ndaj shqiptarëve janë një sfidë për stabilitetin dhe bashkëjetesën në Maqedoninë e Veriut. Mungesa e një reagimi të qartë dhe të fuqishëm nga kryeministri Mickoski tregon mosvullnet për të adresuar problemin thelbësor të shovinizmit në vend.”
Reagimi nuk mungoi as nga Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, i cili shprehi shqetësimin e tij për thirrjet fyese ndaj shqiptarëve në Kumanovë, duke i cilësuar ato si një alarm për të gjithë:
“Thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë ne. Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo. Po ndjek me vëmendje reagimet institucionale dhe pres që autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut të flasin qartë, fort dhe me përgjegjësi,” shkruan ambasadori.
Në anën tjetër, institucionet kosovare zgjedhin heshtjen. Nuk ka asnjë reagim deri më tash.