Errët
Ndritshëm

Antoviq pranon fajësinë: Mbyll marrëveshje me Prokurorinë për sulmin ndaj KFOR-it

04.08.2025

Millosh Antoviq, i njohur si “Xhaja”, ka pranuar fajësinë për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe disa vepra të tjera penale. Prokuroria Speciale dhe i akuzuari kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, duke shmangur kështu një proces të gjatë gjyqësor.

Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 30 mars të këtij viti, Antoviq akuzohej për “sulm ndaj personit zyrtar”, “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale “huliganizëm”, “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”, si dhe “posedim të paautorizuar të armëve”.

Ngjarja për të cilën Antoviq u vu nën hetim ka ndodhur më 29 maj 2023 në Zveçan. Aty u plagosën disa ushtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, gjatë një përballjeje të dhunshme sa kishte tensione në veri të vendit.

Gjatë seancës gjyqësore, Antoviq ka deklaruar: “Jam i vetëdijshëm që me këtë marrëveshje e kam pranuar fajësinë dhe kam hequr dorë nga e drejta për një gjykim të rregullt, për thirrjen e dëshmitarëve dhe prezantimin e provave.”

Prokurori i çështjes, Bekim Kodraliu, ka konfirmuar se marrëveshja përfshin pranim të plotë të fajësisë. “I akuzuari pajtohet ta pranojë fajësinë për të gjitha veprat penale të ngritura ndaj tij, përfshirë edhe posedimin e armës dhe substancave narkotike,” tha Kodraliu.

Errët
Ndritshëm