Errët
Ndritshëm

PSG humb në gjykatë, detyrohet t’i paguajë Buffonit 250 mijë euro

25.07.2025
5294bdb3487647e18864df2e406c2acb

Gjykata e Apelit në Paris ka vendosur në favor të ish-portierit legjendar italian Gianluigi Buffon, duke urdhëruar Paris Saint-Germain (PSG) që t’i paguajë atij shumën prej 250,000 eurosh, për shkak të një mosmarrëveshjeje kontraktuale që daton nga sezoni i tij i vetëm me klubin francez (2018–2019).

Sipas raportimeve të “TuttoMercatoWeb”, çështja u ngrit pas një kërkese tatimore që Buffon mori nga autoritetet italiane në vitin 2021, për të ardhurat e vitit 2018, e cila kapte shumën mbi 1.2 milionë euro. Në kontratën e tij me PSG-në ekzistonte një klauzolë e veçantë që parashihte se klubi do të mbulonte deri në 50% të çdo detyrimi tatimor të mundshëm nga pala italiane, me një kufi maksimal prej 250,000 eurosh neto – i kategorizuar si një “bonus shtesë riatdhesimi”.

Gjykata më parë kishte vendosur në favor të Buffon-it, por PSG e apeloi vendimin. Megjithatë, edhe Apeli mbështeti vendimin fillestar, duke e detyruar klubin francez të kryejë pagesën e plotë sipas klauzolës.

Buffon kishte kërkuar gjithashtu një kompensim shtesë prej 25,000 eurosh, duke e quajtur vonesën dhe refuzimin fillestar të PSG-së si një “rezistencë të pajustifikuar”, por kjo pjesë e kërkesës nuk u pranua nga gjykata.

Ky vendim konfirmon rëndësinë e zbatimit të detajeve kontraktuale, edhe në rastet kur bëhet fjalë për klube të mëdha dhe futbollistë të profilit të lartë.

Errët
Ndritshëm