Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Besart Krasniqi, ka thënë se Komuna e Prishtinës është duke e çuar drejt falimentimit ndërmarrjen publike “Pastrimi” dhe kështu po i lë pa punë mbi 900 punëtorë.
Në një konferencë për media, asambleisti Krasniqi ka folur për thirrjet për një kontratë kornizë 3-vjeçare nga Komuna e Prishtinës, në vlerë 16.5 milionë euro, për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
“Në besojmë se kjo kontratë është hapi i fundit para falimentimit të ndërmarrjes ‘Pastrimi’ dhe rrjedhimisht mbetjen pa punë të mbi 900 punëtorëve. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të gjendjes jo të mirë që mbretëron në Prishtinë, sa i përket mbeturinave, dhe natyrisht që kjo është e papranueshme për ne dhe për qytetarët e Prishtinës. Megjithatë, hapja e kësaj thirrjeje publike nga Komuna e Prishtinës dhe mundësia që mbledhja e mbeturinave të bëhet nga operatorë privatë, na dëshmojnë se i gjithë procesi i ngufatjes së Prishtinës nga bërlloku, gjatë 3 viteve të kaluara, është bërë qëllimshëm nga ekzekutivi komunal, në mënyrë që pastaj të ndryshohet rregullorja për menaxhimin e mbeturinave, të futet një nen që lejon futjen në treg të operatorëve privatë, dhe tani hapi i fundit, tenderi i madh prej 16.5 milionë euro – ku tregun e marrin privatët, kurse ‘Pastrimi’ në mungesë të të hyrave bankroton dhe 900 familjeve u rrezikohet mirëqenia”, ka thënë Krasniqi në konferencë.
Ai ka akuzuar LDK-PDK që së bashku e filluan si produkt këtë nismë, të cilën tash po e vazhdon në realizim kryetari Përparim Rama i LDK-së. Ai ka thënë se tenderi prej 16.5 milionë euro është “produkt i filluar nga qeverisja LDK-PDK dhe tash i vazhduar për t’u realizuar nga LDK-ja me në krye Përparim Ramën”.
Krasniqi ka thënë se, si rezultat i këtij veprimi, po rrezikohet një grant me vlerë prej 70 milionë eurosh nga KfW për “Pastrimin”, “me të cilat mjete do të zgjidhej njëherë e përgjithmonë problemi i mbeturinave në kryeqytet”.
“Duhet potencuar se ndryshimi i Rregullores dhe mundësimi që edhe operatorët privat të jenë pjesë e sistemit për menaxhimin e mbeturinave ka ndodhur gjatë qeverisjes së përbashkët LDK-PDK. Ne, si VETËVENDOSJE!, edhe atëherë kemi qenë kundër këtij propozimi, sepse kemi qenë të vetëdijshëm për rrezikun e bankrotimit të ndërmarrjes ‘Pastrimi’”.
Në anën tjetër, Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, deklaroi për Klan Kosova se punëtorët nuk do të mbesin pa punë.
“Unë them që po të isha unë kryeshef i ndërmarrjes ‘Pastrimi’, nuk e kisha prishur gjumin as një natë të vetme, me brengën se ata punëtorë mund të mbesin pa punë, sepse duhet vetëm të jemi konkurrues dhe të jemi të zotë t’i kapim kontratat për të cilat mund të ofrojmë shërbim dhe çdo gjë mund të shkojë në rregull”, tha Brestovci.