Errët
Ndritshëm

Vendimi i Kurtit “shllajfitë” në ASHNA, zyrtarët e saj përdorën ilegalisht veturat zyrtare!

30.10.2024
Ashna Agjencia E Shërbimeve Të Navigacionit Ajror Shenjester.net

Hulumtimi “Kulla e Krimit”. Autorë: Granit Tahiri dhe Fatlum Berisha.

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) i kontrollon në mënyrë pothuajse perfekte avionet në hapësirën ajrore të Kosovës. Megjithatë, kjo agjenci ka llom punët në tokë dhe dyshohet se është e përfshirë edhe në elemente kriminale, raporton Shënjestër.net.

Tri nga 23 veturat e ASHNA-s dyshohet se janë përdorur paligjshëm në periudhën janar-dhjetor 2022. Kështu thotë raporti i brendshëm i Audimit në këtë agjenci, të cilin e ka siguruar Shënjestër përmes qasjes në dokumente publike.

Ky raport është ndryshe nga raporti i audimit që ka publikuar agjencia në uebfaqen e saj, ku thuren lavde superlative për punën e institucionit të drejtuar nga Samir Bllacaku. Drejtori Bllacaku ishte emëruar më 8 shtator 2021 në këtë pozitë nga Qeveria Kurti. Emrin e tij në ekzekutiv e kishte propozuar Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Vendimi i Kurtit “shllajfitë” në ASHNA

Ekziston një vendim i Qeverisë së Kosovës, i datës 12 maj 2020, që ndalon përdorimin e automjeteve për 24 orë. Ky vendim ishte marrë dy muaj pas zgjedhjes së Albin Kurtit si kryeministër për herë të parë më 3 shkurt 2020.


Pika 2 e vendimit qeveritar thotë se, përveç kryeministrit dhe kabinetit të tij, askush tjetër nuk ka të drejtë të vozit jashtë orarit të rregullt veturat zyrtare. Gjithçka është bërë për të kursyer paratë publike. Megjithatë, vendimi mbeti vetëm në letër. Në Agjencinë për Sherbime të Navigimit Ajror nuk u zbatua kurrë.

Ekziston edhe një pikë tjetër, ajo 4, në vendimin qeveritar, e cila specifikon rastet kur vetura mund të përdoret jashtë orarit 8-orësh. Megjithatë, auditori në ASHNA thekson se përdorimi i tri veturave zyrtare nuk korrespondon me këtë pikë. Kështu, vozitja e tyre është në kundërshtim me vendimin e Qeverisë.

Rrenat me derivate

Skandali i keqpërdorimit të veturave thellohet akoma nga zyrtarët e ASHNA-s.

Normalisht, për të shfrytëzuar një veturë zyrtare, janë disa procedura. Duhet të plotësohet një fletëudhëtimi që tregon arsyen e përdorimit të automjetit zyrtar.

Sipas raportit të Auditimit, i siguruar prej Shënjestër, veturat zyrtare në institucion janë marrë në shfrytëzim nën arsyetimin se duhet të mbushen me derivate. Në të njëjtën kohë, gjatë shqyrtimit të evidencave për furnizim me derivate të ofruara nga operatori ekonomik, rezulton se të dhënat nuk përputhen. Kjo do të thotë se automjetet nuk janë mbushur me derivate atë ditë, por janë përdorur për një qëllim tjetër, i cili nuk është specifikuar.

Krahas gjithë këtyre, mungojnë të dhëna në log sheet për: kilometrat e kaluara, përdorimin e automjeteve, sasinë e derivateve të mbushura dhe kilometrat kur janë furnizuar me derivate, çka ngjallë dyshime për keqpërdorim. Vendimi i Qeverisë Kurti për mospërdorim të veturave zyrtare jashtë orarit nuk është zbatuar as pas kërkesës me email nga drejtori i AShNA-s, Samir Bllacaku.

Heshtja kaplon Kullën

Lidhur me skandalin, askush tek Agjencia e Sherbimeve të Navigacionit Ajror nuk ka kthyer përgjigje.

Menaxhmenti nuk ishte lodhur t`i japë sqarime Auditorit për shfrytëzimin ilegal të veturave.

As Shënjestër nuk mori përgjigje të mërkurën, pavarësisht interesimit të lartë.

Kjo është storja e parë hulumtuese në kuadër të hulumtimit: “KULLA E KRIMIT”. Shënjestër do të publikojë të enjten pagesën e kundërligjshme që menaxhmenti i ASHNA-s kishte bërë ndaj restorantit “Che Bar” për organizimin e darkës së fundvitit.

Errët
Ndritshëm