Errët
Ndritshëm

Kryetari i Pejës rrihet nga dy persona

26.10.2024
Auto Gazi1729931014

Në orët e mëngjesit të së shtunës është sulmuar fizikisht kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri.

Ai u sulmua nga dy persona, derisa po dilte nga një lokal.

“Sot rreth orës 08:50, në rrugën Bill Klinton, është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lëndime trupore, të dyshuarit janë arrestuar. Me urdhër të Prokurorit te shtetit te dyshuarit ndalohen për 48-ore”, ka thënë Driton Rugova nga Policia në Pejë.

Muhaxheri ka pësuar lëndime trupore, por gjendja e tij është stabile.

Prokuroria në Pejë ka bërë të ditur se tashmë janë duke u ndërmarrë gjitha veprimet për të zbardhur situatën, ndërsa prokurori ka marrë vendim qe te dyshuarit të dërgohen në mbajtje.

Shkak i incidentit dyshohet të jetë projekt infrastrukturor i realizuar nga Komuna e Pejës në Stankaj të Rugovës.

Dënohet sulmi

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me sulmin ndaj Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit, i cili u sulmua sot fizikisht nga dy persona.

Abdixhiku ka thënë se Muhaxherin s’mund ta ndalin e as ta frikësojnë.

Ai u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të mbajnë përgjegjës ata që e sulmuan.

“Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë! Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë”, ka shkruar Abdixhiku, teksa ka publikuar edhe një foto bashkë me Muhaxherin”.

Ka reaguar drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahim.

“Aktet e tilla kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët është akt i shëmtuar dhe vjen nga individ apo grupe që janë kundër rendit demokratik në Kosovës”.

Errët
Ndritshëm