Anëtarët e Qeverisë Kurti nuk po nguten më me deklarata për hapjen e Urës së Ibrit.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha këtë të mërkurë se po presin që krahas Qeverisë, edhe aleatët të jenë gati për hapjen e Urës së Ibrit.
Sipas tij, Kosova është e gatshme të hapë urën dhe se nuk ka asnjë arsye që ajo të mbetet e mbyllur.
“Ne jemi gati që ura të hapet, s’kemi argument para vetes që na bën të besojmë se ura s’duhet të jetë e hapur. Po presim edhe partnerët tanë të jenë të gatshëm për hapjen e urës. Ata kanë paraqitur se siguria është një nga hezitimet, është pikëpamja e tyre për hapjen e urës. Ne si institucione të Republikës së Kosovës jemi gati. Besojmë plotësisht se nuk ka asnjë arsye që ura të mos hapet. Besojmë fuqishëm se s’ka kapacitete të elementeve çrregulluese brenda Republikës së Kosovës që mund të krijonin situata që të mos mund të menaxhohen nga institucionet tona të sigurisë”, tha Krasniqi në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Kurti dikur për Urën e Ibrit: Nuk do t’i befasojmë partnerët, por nuk mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë më 19 gusht 2024 se Ura e Ibrit duhej të ishte hapur para 25 viteve kur është çliruar Kosova, teksa ka thënë se ajo çfarë dëshiron është lëvizja e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat e kapitalin në të dy anët e lumit.
Ai deklaroi se vërejtjet e ndërkombëtarëve për këtë çështje po merren në konsideratë, por theksoi se hapja e urës duhet të bëhet sa më parë.
Madje, shefi qeveritar ishte treguar goxha i prerë, duke thënë se nuk mund të lejojnë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht.
“Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë sipas planit që e kemi ndarë edhe me partnerët, kemi zhvilluar konsultime. E kemi testuar qëndrueshmërinë fizike dhe teknike. Duam që këtë ta bëjmë sa më parë por as nuk do t’i befasojmë partnerët tanë, por as nuk mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht”, tha kryeministri në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Qëndrimi i Perëndimit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pati thënë të premten e 2 gushtit se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.
Ai i bëri këto komente pas një takimi të përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.
“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë”, tha Hovenier për gazetarë pas takimit.
Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.