Errët
Ndritshëm

Trendafilova: Specialja nuk punon nën ndikim politik, kritikat nuk duhet të diktojnë vendimet e gjyqtarëve

20.10.2026

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se Gjykata Speciale e ushtron mandatin e saj në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje politike.

Deklarata e saj vjen pasi Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilat tashmë i janë dërguar presidentes Justina Shiroka-Pula për dekretim.

Trendafilova ka thënë se, që nga themelimi, institucioni është përballur me dezinformata për pavarësinë dhe funksionimin e tij, si dhe me përpjekje për pengimin e drejtësisë, që në disa raste kanë përfunduar me dënime dhe pranime të fajësisë për frikësim të dëshmitarëve.

“Ndërsa kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, sundimi i ligjit kërkon që askush të mos diktojë se si gjyqtarët e interpretojnë dhe e zbatojnë ligjin”, thuhet në deklaratën e saj.

Ajo ka theksuar se Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor, mandati i të cilit buron nga shkëmbimi i letrave, Kushtetuta e Kosovës dhe ligji përkatës.

Sipas Trendafilovës, të akuzuarve u garantohen të drejtat për gjykim të drejtë, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ajo ka përmendur edhe mundësinë e kundërshtimit të vendimeve përmes procedurave të apelimit dhe adresimit të pretendimeve për shkelje të të drejtave në Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.

Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës parashohin kufizime në juridiksionin e Speciales, transferimin e disa rasteve te institucionet e drejtësisë në Kosovë, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, ekzekutimin e dënimeve në Kosovë dhe kompetencën e presidentit për falje.

Ndryshimet përfshijnë edhe monitorimin e punës së Dhomave të Specializuara nga organizata ndërkombëtare dhe kontrollin kushtetues të ligjit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Prishtinë.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i ka kritikuar këto ndryshime, duke thënë se ato bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

Ligji u miratua më 6 tetor 2026, me 88 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Tashmë presidentja ka në dispozicion tetë ditë nga pranimi i tij për ta shpallur ose për ta kthyer një herë në Kuvend, me arsyet përkatëse.

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara më 16 shtator dënuan katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithsej 81 vjet burgim në shkallë të parë. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Vendimi mund të apelohet.

Errët
Ndritshëm