Errët
Ndritshëm

Radoiçiq shfaqet në tubimin e partisë së Vuçiqit, krah djalit të ish-presidentit serb

10.10.2026

Milan Radoiçiq, i akuzuar për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë, është parë në një tubim parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe në Kragujevc.

Në videot e publikuara nga mediat serbe, ai shihet në mesin e pjesëmarrësve, pranë Danilo Vuçiqit, djalit të ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ky i fundit ka publikuar në rrjetet sociale një video nga tubimi, ku shfaqet edhe djali i tij, të cilin e ka shoqëruar me mbishkrimin: “Danilo im, krenaria ime”.

Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Gjatë sulmit, grupi i armatosur serb u përball me Policinë e Kosovës. Tre pjesëtarë të grupit u vranë, tre u arrestuan, ndërsa të tjerët u larguan drejt Serbisë.

Për këtë sulm, në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviqin, ndërsa Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq u dënuan me nga 30 vjet burgim.

Të tre janë në mesin e 42 personave të akuzuar për sulmin, përfshirë Radoiçiqin.

Megjithëse ka marrë përgjegjësinë për sulmin, Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Ai ishte marrë në pyetje nga autoritetet serbe në vitin 2023, por më pas ishte liruar.

Errët
Ndritshëm