Prokuroria Themelore në Ferizaj nuk ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj njërit prej të dyshuarve për sulmin ndaj ekipit të televizionit “Klan Kosova”, të mërkurën.
I dyshuari me inicialet I.R. ishte ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Por, sipas përgjigjes së Prokurorisë të shtunën, pas vlerësimit të rrethanave dhe rolit të të dyshuarit në rast, nuk është kërkuar paraburgimi ndaj tij.
“Pas vlerësimit të rrethanave dhe rolit të tij në kryerjen e veprës penale, ndaj tij nuk është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit bazuar në vlerësimin e Prokurorit të Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KOHËN.
Ndërkohë, për personat e tjerë të dyshuar, Prokuroria ka bërë të ditur se është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Institucioni ka thënë se po ndërmerr veprime hetimore për zbardhjen e plotë të rastit, duke theksuar rëndësinë e rasteve që përfshijnë gazetarët.
Si pasojë e sulmit, katër persona kishin pësuar lëndime dhe ishin dërguar për trajtim në Qendrën Emergjente në Ferizaj.