Errët
Ndritshëm

Avokati i Thaçit sfidon deklaratën e Marta Kos për Specialen

18.09.2026

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, i është kundërpërgjigjur Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, pasi ajo i cilësoi Dhomat e Specializuara të Kosovës si “organ gjyqësor të paanshëm dhe të pavarur”.

Mishetiq ka thënë se ende nuk është përcaktuar nëse Gjykata Speciale ka vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e Thaçit.

“Ende duhet të përcaktohet nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e zotit Thaçi. Nuk i takon Marta Kos ta paragjykojë këtë çështje”, ka shkruar ai.

Avokati ka përmendur edhe Komitetin e të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, duke thënë se ky komitet ka ngritur shqetësime për paanshmërinë e gjyqtarëve në këtë rast.

Reagimi i Mishetiq vjen pasi Marta Kos tha se vendimet e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen, ndërsa personat e dënuar kanë të drejtë ankese.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, Jakup Krasniqi me 25 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë për disa vepra penale të luftës. Vendimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ankese.

Errët
Ndritshëm