Çështja e nënkryetarëve të rinj të Kuvendit është bërë pengesa e radhës për formimin e institucioneve të Kosovës.
Pas më shumë se 60 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, Kuvendi të mërkurën arriti të zgjedhë Albulena Haxhiun kryetare. Megjithatë, seanca u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve për nënkryetarët dhe u shty për të premten.
PDK-ja ka propozuar Vlora Çitakun, ndërsa LDK-ja Kujtim Shalën për nënkryetarë.
Nga Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se nuk do t’i votojnë kandidatët që, sipas saj, nuk mbështesin zgjedhjen e presidentit.
Pas kësaj, kreu i VV-së, Albin Kurti, ka kërkuar takim me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së për të arritur marrëveshje për nënkryetarët.
“Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së, që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim edhe për përzgjedhjen e nënkryetarëve”, ka thënë Kurti.
Përplasjet vazhduan edhe për kandidatin e Listës Serbe për nënkryetar. Sllavko Simiqi u propozua nga deputeti Igor Simiq, por mënyra e propozimit u kundërshtua nga partitë shqiptare.
PDK-ja dhe LDK-ja e kanë akuzuar VV-në për bllokadë të re.
Ndërkohë, çështja e nënkryetarëve vjen pas një tjetër ngërçi rreth zgjedhjes së presidentit. Kurti dhe Lumir Abdixhiku kishin arritur marrëveshje për kandidaturën e Bekim Sejdiut, por gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta votojnë atë.
Për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para nevojiten 80 vota.
Kosova tashmë përballet prej dy vitesh me kriza të njëpasnjëshme institucionale dhe zgjedhje të shpeshta. Ngërçi i fundit nisi pas moszgjedhjes së presidentit të ri, çka çoi në zgjedhjet e 7 qershorit.