Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër pas një incidenti të regjistruar gjatë përcjelljes së aktiviteteve politike, ku mbrojtja e afërt e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka penguar stafin e medias online Shënjestër.net, konkretisht Elias Krasniqin dhe Aziz Bejtullahun, në kryerjen e detyrës zyrtare.
Në pamjet e bëra publike nga vetë media, shihet qartë momenti kur një pjesëtar i Policisë së Kosovës, i angazhuar në mbrojtjen e afërt të kryeministrit, ndërhyn dhunshëm ndaj njërit prej anëtarëve të ekipit të xhirimit. Përveç shtytjes fizike, zyrtari policor dëgjohet ta kërcënojë gazetarin edhe me arrestim.
Përmes një komunikate zyrtare për media, AGK-ja e ka cilësuar këtë veprim si tërësisht të papranueshëm dhe jashtë çdo kornize të sjelljes profesionale që duhet ta karakterizojë Policinë e Kosovës.
“AGK-ja konsideron se kjo është një sjellje e papranueshme dhe joprofesionale. AGK-ja e fton Qeverinë të distancohet nga kjo sjellje dhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) të nisë hetime ndaj individit në fjalë“, thuhet në reagimin e asociacionit.
