Menjëherë pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe emisarit të Bashkimit Evropian për Dialogun, Peter Sorensen, ku u dakorduan për lehtësira për komunitetin serb lidhur me Ligjin për të Huajt dhe atë për Automjetet, shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e cilësoi marrëveshjen si një momentum të ri për dialogun dhe u shpreh e gatshme për një takim të nivelit të lartë në Bruksel.
Megjithatë, dialogu Kosovë–Serbi nuk përbën më prioritet ndërkombëtar parësor për shkak të krizave në Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore, ndërsa Kosovës i kërkohet stabilitet i brendshëm dhe ruajtja e partneriteteve strategjike. Profesori i universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, vlerëson se dialogu ka rënë në listën e prioriteteve globale, edhe pse zyrtarë të niveleve të mesme të BE-së dhe SHBA-së vazhdojnë ta ndjekin atë. Ai e konsideron si hap pozitiv vendimin e Kurtit për lejet e përkohshme të qëndrimit për qytetarët serbë që nuk posedojnë dokumente të Kosovës.
Nga ana tjetër, profesori Valon Murtezaj nga IESEG School of Management thekson nevojën për stabilitet institucional dhe transparencë në vendimmarrje, ndërsa ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, paralajmëron për rëndësinë e pranisë ndërkombëtare të KFOR-it dhe nevojën për partneritete të forta me SHBA-në dhe BE-në.
Marrëveshja e Ohrit, e arritur në vitin 2023 mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, e cila parashikon normalizimin e marrëdhënieve, njohjen e dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe vetëmenaxhimin për komunitetin serb, ende nuk është zbatuar plotësisht. Kjo e ka lënë dialogun në një fazë të brishtë dhe vazhdimisht nën presionin e zhvillimeve ndërkombëtare.