Errët
Ndritshëm

MPB: Nga e hëna fillojnë aplikimet për lejeqëndrim

15.03.2026
Ministria E Puneve Te Brendshme (4)

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se, pas përfundimit të periudhës informuese më 15 mars, po ndërmerr të gjitha masat për zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.

Nga data 16 mars, qytetarët mund të fillojnë aplikimet për lejeqëndrim dhe lajmërimin e adresës, në përputhje me deklarimet e kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesit të BE-së, Peter Sorensen.

Gjatë një periudhe tremujore, MPB-ja do të mundësojë regjistrimin e fakteve të lindjes, martesës dhe vdekjes që janë kryer në institucionet paralele serbe deri më 15 mars 2026, me qëllim integrimin e tyre në Regjistrin Civil të Kosovës. Po ashtu, do të njihen përkohësisht kartat e identitetit të lëshuara nga këto struktura, ekskluzivisht për qëllime identifikimi.

Në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe Policinë e Kosovës, do të ofrohen udhëzime për qytetarët e prekur, përfshirë lëshimin e lejeqëndrimeve të përkohshme për punëtorët e shëndetësisë dhe arsimit pas aplikimit të tyre individual.

Ministria rikujton se çdo shtetas i huaj ka obligim ligjor të deklarojë adresën brenda tre ditëve nga hyrja në Kosovë. Ky deklarim mund të bëhet përmes aplikacionit në telefon (Android dhe iOS), faqes zyrtare të Policisë së Kosovës ose në stacionin më të afërt policor.

Errët
Ndritshëm