Errët
Ndritshëm

SHBA “shuplakë” Beogradit: Kongresi voton projektligjin kundër spastrimit etnik administrativ në Luginë

22.01.2026

Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit Amerikan ka hedhur një hap historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Anëtarët e këtij komiteti kanë votuar pro projektligjit që detyron Sekretarin e Shtetit të përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi shtypjen dhe diskriminimin që autoritetet serbe ushtrojnë ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Akuzat për “Spastrim Etnik” përmes administratës

Projektligji, i sponsorizuar nga kongresisti republikan Keith Self, vë në shënjestër procesin famëkeq të pasivizimit të adresave. Self ka qenë i ashpër në deklaratën e tij, duke cituar gjetjet tronditëse të Komitetit të Helsinkit.

“Një raport i vitit 2021 tha se Serbia mund të jetë duke kryer një formë të spastrimit etnik përmes mjeteve administrative ndaj shqiptarëve”, deklaroi Self gjatë mbledhjes së komitetit.

Në të njëjtën linjë, nënkryetari i Komitetit, Gregory Meeks, theksoi se mungesa e llogaridhënies nga ana e Beogradit për krimet ndaj pakicave mbetet pengesa kryesore për paqen në rajon. Sipas tij, SHBA është “jashtëzakonisht e shqetësuar” nga persekutimi i vazhdueshëm i shqiptarëve etnikë në Serbi.

Çfarë kërkohet me projektligjin H.R. 6411?

Raporti që pritet të hartohet do të skanojë në detaje disa nga plagët kryesore të shqiptarëve në Luginë.

Pasivizimi i adresave: Fshirja e qytetarëve nga regjistrat, që çon në humbjen e shtetësisë, të drejtës së votës, pronës dhe sigurimit shëndetësor.

Arsimi dhe gjuha: Diskriminimi në punësim, kufizimet e gjuhës shqipe dhe mosnjohja e diplomave të Kosovës.

Tekstet shkollore: Mungesa e librave në gjuhën amtare për nxënësit shqiptarë.

Kamberi dhe Sinani: Fitore në betejën diplomatike

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e cilësoi këtë si një kurorëzim të një beteje të gjatë. “Ky tashmë është qëndrim zyrtar i SHBA-së. Mirënjohje për lidershipin e kongresistit Keith Self dhe përkrahjen dypartiake,” shkroi Kamberi.

Ndërkaq, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, u shpreh se ky është një mesazh i qartë për Beogradin.

“Padrejtësia nuk është e përjetshme”, tha Sinani.

Errët
Ndritshëm