Errët
Ndritshëm

Laporta: Barça s’i ka korruptuar gjyqtarët

05.12.2025
257692

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka reaguar sërish në lidhje me rastin “Negreira”, ku klubi katalunas dhe disa prej ish-drejtuesve të tij akuzohen për korrupsion dhe pagesa të dyshimta ndaj ish-zyrtarit të arbitrave, Jose Maria Enriquez Negreira.

Në vitin 2023, Barcelona dhe drejtuesit e saj u vunë nën hetim për shkak të pagesave të kryera ndaj Negreirës, ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve (CTA) në Federatën Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF). Gjykata i ka klasifikuar transfertat multi-milionëshe nga Barcelona te Negreira, të kryera midis viteve 2001 dhe 2018, si vepra të dyshuara penale, ndërsa dëshmi kanë dhënë edhe figura kyçe si Javier Enriquez, djali i Negreirës, si dhe ish-presidentët Sandro Rosell dhe Josep Bartomeu.

Ky rast do të vazhdojë derisa gjyqtari të vendosë ndryshe. Ne jemi plotësisht të përfshirë dhe të gjitha vendimet deri më sot tregojnë se Barça nuk i ka korruptuar gjyqtarët dhe as nuk ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme”, ka deklaruar Laporta.

Ai ka kritikuar edhe paditë private që janë ngritur kundër klubit: “Pretendimet e tjera private nuk ofrojnë prova bindëse. Nëse dalin në dritë fakte të reja, procedurat do të vazhdojnë. Kjo e ka vonuar vendimin përfundimtar të gjyqtarit”.

Laporta thotë se Barcelona është dënuar në opinion publik para se të flasë drejtësia: “Ne u gjykuam fajtorë para se të fillonte gjyqi. Jam i bindur se Barcelona përfundimisht do të lirohet nga akuzat. Disa palë janë të motivuara ta mbajnë çështjen gjallë”.

Presidenti blaugrana ka hedhur poshtë edhe pretendimet se titujt e fituar nga Barça janë produkt i ndikimit te gjyqtarët, duke e kthyer vëmendjen nga rivali historik: “Pretendimet se Barça fitoi për shkak të gjyqtarëve janë të pavërteta. Për 72 vjet, komiteti i gjyqtarëve ka përfshirë gjithmonë një anëtar të Real Madridit. Real Madridi ka ndikim të konsiderueshëm dhe fitoret tona në kushte të tilla janë edhe më domethënëse”.

Në fund, Laporta ka përmendur edhe deklaratat e presidentit të La Ligës, Javier Tebas: “Javier Tebas ka deklaruar se Real Madridi mund të ndikojë te gjyqtarët nëpërmjet kanalit të tij televiziv. Mund të jetë e vlefshme të shqyrtohen nga afër transmetimet televizive të Real Madridit”, ka përfunduar presidenti i Barcelonës.

Errët
Ndritshëm