Presidenti i Liverpoolit, Tom Werner, ka folur hapur për vendimin e rëndësishëm të klubit për të nënshkruar me yllin gjerman Florian Wirtz nga Bayer Leverkusen, një prej talenteve më të ndritshme në futbollin evropian.
Në një intervistë të cituar nga The Athletic për librin “Walk On: Inside Arne Slot’s Liverpool”, Werner theksoi se një rast i tillë nuk duhej lëshuar nga duart.
“Kur ke mundësinë të nënshkruash me lojtarë të këtij kalibri, duhet ta shfrytëzosh. Merrni për shembull Florian Wirtz, i cili është jashtëzakonisht i talentuar. Ai madje mund të fitojë edhe Topin e Artë. Edhe nëse vetëm gjysma e asaj që thuhet për të është e vërtetë, ai do të ketë një ndikim të madh në lojën tonë”, tha Werner.
Libri “Walk On” trajton sezonin e parë të Arne Slot në krye të Liverpoolit dhe nënvizon rolin që pritet të ketë Wirtz në transformimin e skuadrës. Me profilin e tij teknik, vizionin e qartë dhe inteligjencën e lartë taktike, 22-vjeçari shihet si një nga shtyllat e projektit afatgjatë të klubit.