Një dardan që po shpërthen në elitën gjermane.
Fisnik Asllani po jeton momentin më të mirë të karrierës. Sulmuesi kosovar i Hoffenheim ishte përsëri protagonist absolut në fundjavë, duke shënuar gol në fitoren 3–1 ndaj Heidenheim dhe duke konfirmuar formën e tij brilante në Bundesliga.
22-vjeçari nga Kosova ka gjetur rrugën e rrjetës për herën e pestë në këtë sezon, në vetëm 8 paraqitje, si dhe ka dhënë një asistim. Statistika që flasin vetë për një lojtar që po evoluon me ritëm të frikshëm.
Në ndeshjen e fundit, Asllani tregoi instinkt të pastër sulmuesi: lëvizje precize në zonë, finalizim klinik dhe qetësi që të kujton sulmuesit e mëdhenj.
Pas paraqitjes fantastike, platforma prestigjioze SofaScore e përfshiu Asllanin në “Formacionin e Javës” në Bundesliga, me notën 8.7, duke e renditur si futbollistin e katërt më të vlerësuar të javës.
Asllani nuk po shkëlqen vetëm në nivel klubi. Me Kosovën, ai ka qenë protagonist në ndeshjet e fundit kualifikuese, përfshirë golin e artë ndaj Suedisë në Göteborg, një moment që ndezi ëndrrën e Botërorit për Dardanët.
