Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, ka folur me emocion për lidhjen e pazhdukshme që shumë futbollistë me origjinë nga Kosova e ndiejnë ende për vendin e tyre, pavarësisht se janë formuar dhe jetojnë jashtë tij.
Në një intervistë për podcastin e FFK-së, kreu i futbollit botëror theksoi se shumë prej tyre, mes tyre edhe emra si Xherdan Shaqiri, sot do të mbronin ngjyrat e fanellës dardane, nëse Kosova do të ishte pranuar më herët në FIFA.
“Për shumë lojtarë nga Kosova që janë lindur dhe rritur jashtë vendit, sigurisht që ka pasur shumë ndikime dhe histori të ndryshme. Siç e dini, shumë prej tyre, kur Kosova nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht, luanin për ekipin kombëtar të Zvicrës,” — tha Infantino.
Më tej, ai përmendi se Shaqiri dhe të tjerë me rrënjë shqiptare mund të kishin qenë pjesë e historisë së Kombëtares së Kosovës:
“Ata ishin ndër lojtarët më të mirë që mund të kishin luajtur ndonjëherë për Kosovën, por fatkeqësisht, atëherë Kosova nuk ishte ende e pranuar ndërkombëtarisht.”
Sipas Infantinos, dashuria e këtyre lojtarëve për vendin e prindërve të tyre nuk është zbehur kurrë.
“Të gjithë këta lojtarë ndjejnë shumë për Kosovën, sepse prindërit e tyre janë detyruar të largohen dhe të integrohen diku tjetër. Megjithatë, ata janë rritur me rrënjët e vendit të tyre.”
Këto deklarata vijnë në një kohë kur gjithnjë e më shumë talente shqiptare po zgjedhin ta përfaqësojnë Kosovën, duke dëshmuar se lidhja me atdheun mbetet e gjallë pavarësisht distancës, brezave apo kufijve.