Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, po mahnit Gjermaninë me formën e shkëlqyer që ka treguar këtë sezon.
Me pesë gola në shtatë ndeshje për TSG Hoffenheim, 23-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve evropiane dhe ëndrrat e tij janë po aq të mëdha sa paraqitjet.
Në një intervistë për Sport Bild, Asllani e pranoi hapur se klubi që e ka magjepsur që në fëmijëri është Barcelona:
“Klubi im i ëndrrave ka qenë gjithmonë FC Barcelona. Gjithmonë kam dashur të luaj atje. Dua të luaj në Ligën e Kampionëve një ditë. Është e rëndësishme të kesh ëndrra dhe të punosh drejt tyre.”
Pavarësisht interesimit të disa skuadrave nga Evropa, Asllani këtë verë nënshkroi një kontratë afatgjatë me Hoffenheimin deri në vitin 2029, megjithëse Sky Germany dhe Bild raportojnë se marrëveshja përfshin një klauzolë lirimi që mund ta bëjë të lëvizë më herët.
Lidhur me vendimin për të qëndruar në Sinsheim, sulmuesi nga Kosova tha:
“Plani që më u prezantua më bindi. Më premtuan një rol të rëndësishëm dhe kemi një ekip të shkëlqyer. Ka lojtarë vërtet të mirë këtu. Për mua, ka të bëjë edhe me shijimin e lojës; dua vetëm të luaj futboll.”
Pas një sezoni mbresëlënës në huazim te Elversberg në Bundesliga 2, Asllani duket gati për hapin e madh. Dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, ëndrra për t’u veshur blaugrana nuk duket aq e largët.