Errët
Ndritshëm

Izraeliti, unë dhe anija

02.10.2025
Fatlum Berisha

Pak ditë më parë isha në një udhëtim. Hypa në një anije me disa shokë myslimanë. Pak minuta pasi u ula, pas nesh erdhi një çift. Kapiteni i pyeti nga janë. Ata, me zë të ulët, u përgjigjën: Nga Izraeli.

Kjo ngjarje më rivërtetoi atë që tashmë e di krejt bota, përveç disa liderëve e figurave që s’kanë pikë ndjenje e turpi, të cilët nuk dallojnë prej gurit: Izraeli është fajtor për gjenocidin në Palestinë. E thonë organizatat ndërkombëtare. Edhe populli hebre e di. Ata mund të mos e thonë, por kjo vërehet.

Ashtu si ky izraeliti që ishte me mua rastësisht në anije. E dinte fajin, e kuptonte, andaj edhe, me turp, tregoi për prejardhjen e tij. Kanë frikë. Pse? Sepse ndihen dhe janë fajtorë, edhe nëse jo secili drejtpërdrejt. Fajtorë për vrasjen e mbi 65,000 palestinezëve dhe plagosjen e rreth 170,000 të tjerëve, shumica gra e fëmijë.

Shtetet e tjera, arabe dhe joarabe, janë sikur unë: në rolin e shikuesit dhe udhëtarit pasiv. Në një anije që, ndryshe nga kjo e imja, është gjithsesi izraelite, një lloj anijeje që lundron në një det krimi, e furnizuar me benzinë nga heshtja e fuqive të mëdha dhe vetë arabeve.

Këto shtete mund dhe duhet të bëjnë shumë më tepër, përmes diplomacisë dhe përmes sanksioneve ndaj Izraelit. Nëse për asgjë tjetër, atëherë që të mos vriten edhe 20,000 fëmijë të tjerë, ashtu si janë vrarë deri tash, pa u shqetësuar për asnjë balancë interesi. U intereson vetëm shpirti, i njomë, i ëmbël, shpirt.

Errët
Ndritshëm