Anësori i Athletic Club dhe i kombëtares së Spanjës, Nico Williams, ka pësuar një dëmtim muskulor në aduktorin e majtë gjatë fitores 6–0 të Spanjës ndaj Turqisë më 7 shtator. Lojtari u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 44-të.
Testet mjekësore të kryera në Lezama konfirmuan dëmtimin, por Athletic nuk ka dhënë ende një afat të saktë rikuperimi. Mediat spanjolle raportojnë se mungesa mund të zgjasë nga 2 deri në 6 javë, në varësi të ecurisë së rikuperimit.
Ky dëmtim vë në dyshim praninë e 23-vjeçarit në debutimin e Athletic në Champions League kundër Arsenalit më 16 shtator, një ndeshje historike pas rikthimit të baskëve në elitën evropiane.