Suedia u trondit në Prishtinë, ku Kosova shkroi historinë duke fituar 2–0 në ndeshjen e dytë të Grupit B në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Golat e Elvis Rexhbeçajt dhe Vedat Muriqit sollën festë në kryeqytetin kosovar, ndërsa skandinavët u detyruan të përtypin një disfatë të hidhur.
Pas ndeshjes, foli edhe ylli më i madh i suedezëve, Alexander Isak, i cili vetëm pak ditë më parë kompletoi transferimin e tij rekord te Liverpool-i.
“Një humbje e vështirë. Është e qartë se po performojmë dobët,” tha ai për Viaplay.
“Pas një humbjeje si kjo, nuk ndihesh mirë. Jemi këtu me ekipin kombëtar dhe kemi pasur një ditë të vështirë dhe një humbje të vështirë. Atje qëndrojnë emocionet.”
Ky rezultat e vendos Kosovën në vendin e dytë të grupit me tri pikë, ndërsa Suedia mbetet vetëm me një pikë pas dy ndeshjesh. Për “Dardanët” kjo është fitorja e parë ndonjëherë ndaj suedezëve, një sukses që u përshëndet si historik nga mediat ndërkombëtare.
Në anën tjetër, përfaqësuesja skandinave gjendet nën presion të madh, me Isakun që tashmë duhet të shndërrohet në liderin e një ekipi që kërkon urgjentisht ringritjen.