Kombëtarja e Kosovës do ta nisë sot (e premte) rrugëtimin në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, me një përballje të zjarrtë kundër Zvicrës. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin St. Jakob-Park të Bazelit, me fillim nga ora 20:45.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Franco Foda shkon në këtë sfidë me ambicie për të marrë rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të Grupit B. Përzgjedhësi austriak ka në dispozicion një ekip pothuajse të kompletuar, me përjashtim të Edon Zhegrovës, i cili është liruar për shkak të transferimit të tij te Juventusi, dhe Milot Rashicës, që mungon për shkak të lëndimit.
Ky do të jetë ballafaqimi i katërt në histori mes Kosovës dhe Zvicrës. Tri ndeshjet e mëparshme kanë përfunduar pa fitues, duke reflektuar rivalitetin e ngushtë mes dy përfaqësueseve.
Për Zvicrën, kjo ndeshje është po ashtu e një rëndësie të veçantë, pasi helvetikët kërkojnë të nisin me fitore garën për një vend në Botërorin e vitit 2026, i cili do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Atmosfera në Bazel pritet të jetë elektrizuese, pasi shumë tifozë shqiptarë dhe zviceranë do të mbushin shkallët e stadiumit, duke e bërë këtë sfidë një spektakël futbolli me ngjyrime të veçanta emocionale.