Errët
Ndritshëm

Zhegrova arrin marrëveshje me Juventusin

20.08.2025
Screenshot 20250820 115647 Instagram

Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, është shumë afër transferimit te gjiganti italian Juventus, pasi tashmë ka arritur marrëveshje personale me klubin torinez. Lajmi është raportuar nga “Tuttosport”, që thekson se lojtari ka pranuar një kontratë deri në vitin 2030, me një pagë vjetore prej 2.5 milionë eurosh.

Kontrata aktuale e 26-vjeçarit me Lillein përfundon në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa vetë Zhegrova ka njoftuar klubin francez se nuk do të rinovojë. Ky vendim ka shtyrë drejtuesit e Lilleit të shqyrtojnë shitjen e tij në këtë merkato, për të mos rrezikuar largimin e tij si lojtar i lirë.

Sipas raportimeve, Lille kërkon rreth 25 milionë euro për kartonin e kosovarit, por Juventusi synon të ulë shifrën nën 20 milionë euro. Bisedimet mes dy klubeve kanë nisur dhe pritet të intensifikohen në ditët në vijim.

Zhegrova shihet si një lojtar i gjithanshëm, i aftë të mbulojë disa pozita në sulm, gjë që ka bindur drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” se ai është profili i duhur për projektin e ri të klubit.

Prej janarit të vitit 2022, Zhegrova është pjesë e Lilleit, ku erdhi nga Baseli. Në 80 paraqitje në Ligue 1, ai ka shënuar 15 gola dhe ka regjistruar 13 asistime, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës franceze.

Errët
Ndritshëm