Në një gjest të rrallë dhe domethënës, UEFA ka ndërmarrë një iniciativë të re humanitare për të ndihmuar fëmijët e prekur nga lufta në Rripin e Gazës, një vend ku çdo ditë shuhen jetë të pafajshme nën rrënoja, zhurma bombardimesh dhe heshtjen e botës.
Përmes Fondacionit të saj, UEFA ka krijuar partneritete me tri organizata të njohura ndërkombëtare : Médecins du Monde, Médecins Sans Frontières dhe Handicap International për të ofruar ndihmë mjekësore, ushqimore dhe mbështetje psikosociale për fëmijët që po rriten mes traumës e frikës.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, e përshkroi gjendjen e tyre me fjalë të drejtpërdrejta:
“Çfarëdo që të rriturit mendojnë se po bëjnë në luftëra, fëmijët janë të pafajshëm. Por në çdo konflikt, ata vdesin çdo ditë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndihmuar ata të jetojnë një jetë më të durueshme dhe më normale.”
Para fillimit të ndeshjes së Superkupës Evropiane midis PSG dhe Tottenham, stadiumi Bluenergy në Udine u bë skenë e një mesazhi të fuqishëm: një banderolë e madhe me logon e turneut dhe thirrjen “Ndalo vrasjen e fëmijëve, ndalo vrasjen e civilëve” u shpalos në mesin e fushës, duke bërë që mijëra tifozë dhe miliona shikues në mbarë botën ta shohin këtë apel.
Ky veprim erdhi pas presionit të madh publik dhe reagimeve të figurave të njohura botërore, sidomos pas vrasjes së ish-futbollistit të kombëtares palestineze, Suleiman Al-Obeid i njohur si “Pele palestinez” në një sulm izraelit teksa priste ndihma ushqimore në Gaza. Ai ishte një simbol shprese për brezat e rinj, një shembull që edhe në vendet më të goditura nga lufta, futbolli mund të jetë dritë.
“Lamtumirë Suleiman Al-Obeid. Një talent që u dha shpresë fëmijëve të panumërt, edhe në kohët më të vështira,” shkroi UEFA në rrjetet sociale.
Ndër ata që reaguan ishte edhe ylli egjiptian Mohamed Salah, i cili kërkoi transparencë të plotë:
“Na tregoni si vdiq, ku dhe pse.”
Në Gaza, fëmijët nuk numërojnë më vitet e tyre, por netët pa gjumë, ditët pa bukë dhe orët e frikës nën zhurmat e sirenave. Nisma e UEFA-s nuk do t’i ndalë bombat, por është një zë i fuqishëm që u thotë liderëve botërorë se bota nuk mund të mbyllë sytë përballë dhimbjes së tyre.