Robert Lewandowski nuk ka ndërmend të largohet nga Barcelona këtë verë, pavarësisht interesimit të madh nga klubet e Arabisë Saudite. Lajmin e konfirmoi agjenti i tij, Pini Zahavi, në një intervistë për median polake Fakt.
Sipas Zahavit, sulmuesi 36-vjeçar kishte një mundësi reale për transferim në Lindjen e Mesme në fillim të vitit 2024, me oferta që shkonin përtej 100 milionë eurove në sezon. Megjithatë, polaku vendosi të refuzojë shifrën marramendëse, duke zgjedhur të qëndrojë në “Camp Nou”.
“Barcelona është vendi ideal për të. Ai ndihet rehat këtu dhe e sheh veten pjesë të këtij projekti. Klubet saudite kanë plot lojtarë të huaj dhe shpesh nuk dinë si t’i menaxhojnë ata për shkak të kufizimeve. Roberti nuk kishte asnjë interes të luante atje,” deklaroi Zahavi.
Agjenti shtoi se një vit më parë, Lewandowski kishte refuzuar një ofertë të majme nga Arabia Saudite për të vazhduar garën për trofetë e La Ligës dhe Ligës së Kampionëve, objektiva që sipas tij janë ende prioritet.
Kontrata e Lewandowskit me Barcelonën është e vlefshme deri në verën e vitit 2026.