Errët
Ndritshëm

Qeveria: Vendimi i Gjykatës Supreme është arbitrar dhe i pabazuar

15.07.2025

Qeveria e quan arbitrar vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e udhëzimit administrativ të ministrit në detyrë, Hekuran Murati

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin është shfuqizuar një Udhëzim Administrativ, nr. 01/2025, për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë, me arsyetimin se ky akt është miratuar nga një qeveri në detyrë dhe nga një ministër në detyrë, të cilëve gjoja u mungon kompetenca për të nxjerrë akte nënligjore”, u tha në reagimin publik.

Sipas Qeverisë, ky arsyetim i Gjykatës është i pabazuar në ligj dhe përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore.

“Konkretisht, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë. Ky nen kufizon veprimtarinë e qeverisë në detyrë vetëm në çështje madhore, si: marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim në Kuvend, amendamente kushtetuese, projektligje të reja, strategji dhe koncept-dokumente – por jo në nxjerrjen e akteve zbatuese, siç është udhëzimi administrativ në fjalë”, thuhet në njoftim.

Qeveria më tutje thotë se nuk ka konflikt të mundshëm funksional ndërmjet funksionit të ministrit në detyrë dhe atij të deputetit, pasi që Kuvendi akoma nuk është konstituar.

“Si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet dhe, për rrjedhojë, i njëjti nuk është funksionalizuar si organ përfaqësues me autorizime ligjvënëse, vendimmarrëse dhe mbikëqyrëse të përcaktuara me Kushtetutë. Ky aktgjykim ka konstatuar qartë se Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, për shkak se seanca konstituive nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë konflikt funksional mes pozitave të ministrit në detyrë dhe të deputetit, përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues”, thuhet më tutje në njoftim.

Me vendim, Gjykata Supreme ka thënë se qeveria dhe ministri në detyrë nuk kanë kompetenca për të nxjerrë akte nënligjore, prandaj ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Errët
Ndritshëm