Errët
Ndritshëm

Vrasja e policit Trimuf Riza, Gjykata vendos nga 18 vite burgim për Ilir dhe Rrahim Abdullahun

20.11.2026

Prokuroria Speciale e Kosovës, në aktakuzën për vrasjen e policit Triumf Riza, ka përshkruar në detaje mënyrën se si ishte organizuar dhe kryer vrasja e tij më 30 gusht 2007 në Prishtinë.

Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 nëntor 2026, i ka shpallur fajtorë Ilir Abdullahun, të njohur me nofkën “Liza”, dhe Rrahim Abdullahun, të njohur si “Rrumqi”, duke i dënuar secilin me nga 18 vjet burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Ilir Abdullahu dhe Rrahim Abdullahu akuzoheshin se në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Enver Sekiraqën kishin vepruar si grup i organizuar, me motiv hakmarrjen ndaj Triumf Rizës.

Në aktakuzë thuhet se motivi lidhej me një konflikt të mëhershëm mes Rizës dhe Enver Sekiraqës, pasi më 24 dhjetor 2005, polici e kishte rrahur Sekiraqën në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë. Sipas Prokurorisë, konflikti lidhej edhe me refuzimin e Rizës për t’i dhënë më para reket.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit për një kohë kishin përcjellë lëvizjet e Triumf Rizës përmes veturave.

Sipas dosjes, më 30 gusht 2007, derisa disa prej tyre ndodheshin në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, Fitim Avdiu i kishte dërguar mesazh Ilir Abdullahut: “Parking te Grandi, kojshija e kish dramën”, duke iu referuar Triumf Rizës, i cili në atë kohë ndodhej në afërsi të Grand Hotelit.

Pas këtij njoftimi, sipas aktakuzës, Arben Berisha, Ilir Abdullahu dhe Rrahim Abdullahu ishin nisur me veturë drejt lokalit “Queen’s”. Berisha, i armatosur me pistoletë, kishte hyrë në një lokal, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë në një lokal tjetër, për ta pritur Rizën.

Në aktakuzë thuhet se Rrahim Abdullahu më pas i kishte dërguar mesazh Berishës: “Rri qatu, hin mrena, se mir je, ma von të thirri”, pasi Riza ishte parë në lokalin “AM PM”.

Sipas përshkrimit të Prokurorisë, kur Triumf Riza kishte dalë nga lokali dhe ishte afruar te automjeti i tij, Arben Berisha i ishte afruar nga pas dhe kishte shtënë 11 herë me pistoletë, në tri rafalë të shkurtra.

Dy plumba e kishin goditur Rizën në shpinë, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse në aortë, zemër dhe mushkëri, ndërsa një plumb tjetër e kishte goditur në kofshën e këmbës së djathtë.

Për këtë vrasje, Arben Berisha ishte shpallur fajtor si doras dhe ishte dënuar me 35 vjet burgim.

Ndërkaq, Enver Sekiraqa ishte shpallur fajtor për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës dhe ishte dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ky ishte dënimi i tij i tretë për këtë vepër. Më parë, në vitin 2016, ishte dënuar me 36 vjet burgim, ndërsa në vitin 2019 me 20 vjet burgim.

Prokuroria Speciale i kishte ngarkuar Ilir Abdullahun dhe Rrahim Abdullahun me veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, së bashku me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Enver Sekiraqën.

Me aktgjykimin e shpallur më 20 nëntor 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë i dënoi Ilir Abdullahun dhe Rrahim Abdullahun me nga 18 vjet burgim secilin për këtë vepër penale.

Errët
Ndritshëm