Errët
Ndritshëm

Përplasje pas ndeshjes Izrael–Irlandë

28.09.2026

Ndeshja mes Izraelit dhe Irlandës, e zhvilluar të dielën në Debrecen të Hungarisë, ka vazhduar të komentohet edhe pas përfundimit të saj.

Irlanda fitoi 3-0, ndërsa futbollistët irlandezë shprehën gjatë ndeshjes qëndrimin e tyre ndaj situatës në Gaza. Ata nuk ua dhanë dorën lojtarëve izraelitë, qëndruan me kokën ulur gjatë himnit të Izraelit dhe bartën shirita të zinj në krah.

Sipas “The Sun”, pas ndeshjes pati edhe një debat mes irlandezit Jake O’Brien dhe izraelitit Manor Solomon.

O’Brien dyshohet se i tha Solomonit: “Turp të kesh për atë që po bëni në Gaza. E meritoni të humbni”.

Solomon raportohet t’i jetë përgjigjur: “Dil këtu, bëhu burrë. Mos fol pas murit”.

Pas ndeshjes, Solomon kritikoi sjelljen e lojtarëve irlandezë, duke thënë se nuk dëshironte të fliste më shumë për këtë çështje për shkak të mundësisë së ndëshkimit.

“Ata thanë gjëra pa kuptim gjatë ndeshjes. Nuk dua t’i komentoj ato. Nëse them atë që mendoj për ta, ndoshta do të pezullohem për disa ndeshje. Sigurisht që ata na urrejnë dhe ne nuk i pëlqejmë ata. Mezi e pres ndeshjen e radhës kundër tyre. Do të jetë krejtësisht ndryshe”, deklaroi ai.

Izraeli dhe Irlanda do të përballen sërish të dielën e ardhshme në Baçka Topola të Serbisë, në terren neutral.

Në të njëjtin grup janë edhe Kosova dhe Austria. Dardanët do të përballen me Izraelin të enjten në Debrecen, nga ora 20:45.

Ndërkohë, lojtarët e Irlandës kanë vendosur të mos deklarohen publikisht për ndeshjet ndaj Izraelit.

Errët
Ndritshëm