Nëntë persona të dyshuar për krime lufte në Komunën e Zubin-Potokut janë ndaluar për 48 orë, pas një aksioni të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Sipas njoftimit të përbashkët të institucioneve, gjatë kontrolleve në disa lokacione janë sekuestruar telefona mobilë, libreza ushtarake, armë, municion dhe para të gatshme.
Policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, dy libreza ushtarake, një armë e gjatë dhe një pushkë gjuetie, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe katër predha.
Po ashtu, janë gjetur rreth 23 mijë euro dhe rreth 60 mijë dinarë serbë, si dhe prova të tjera që, sipas autoriteteve, lidhen me rastin.
Të arrestuarit dyshohen për vepra që lidhen me krime lufte, ndërsa hetimet po zhvillohen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.