Errët
Ndritshëm

Aktakuzë ndaj 4 personave dhe 3 kompanive për keqpërdorim në kontratat e rrugëve në Suharekë

23.09.2026

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave dhe tri kompanive, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe keqpërdorim e mashtrim në prokurim publik.

Rasti lidhet me dy kontrata për ndërtimin e rrugëve në Komunën e Suharekës, të lidhura gjatë viteve 2021 dhe 2022.

Sipas aktakuzës, në të dyja rastet dyshohet se janë pranuar dhe certifikuar punime si të kryera, ndonëse një pjesë e tyre nuk ishin realizuar sipas kontratave.

Në rastin e parë, që lidhet me kontratën e vitit 2022, E. Sh., drejtor për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjenca, dhe B. K., zyrtar për menaxhimin e projekteve dhe menaxher i kontratës, dyshohen se kanë pranuar punime që nuk ishin kryer sipas kontratës.

Sipas Prokurorisë, këto veprime i kanë sjellë operatorit ekonomik përfitim prej 8,301.78 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm në të njëjtën shumë.

Për kontratën e vitit 2021, E. Sh. dhe B. K. dyshohen po ashtu se kanë pranuar punime si të përfunduara, ndonëse një pjesë e tyre nuk ishin realizuar sipas kontratës. Dëmi i pretenduar në këtë rast është 1,661.20 euro.

Ndërkohë, A. S. dhe B. S., së bashku me kompanitë “K. H.” Sh.P.K., “I.” Sh.P.K. dhe “H. S.” Sh.P.K., akuzohen për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Sipas aktakuzës, kompanitë dyshohet se nuk i kanë realizuar të gjitha punimet e kontraktuara dhe kanë paraqitur dokumentacion për punime të kryera.

Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Për personat zyrtarë është propozuar edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik, ndërsa për kompanitë është propozuar ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë.

Errët
Ndritshëm