Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje për reagime të qeta dhe dinjitoze pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Hargreaves për këtë çështje ka diskutuar të mërkurën me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Diskutuam rëndësinë e vazhdimit të reagimeve të qeta dhe dinjitoze ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, ka thënë Hargreaves.
Në takim është diskutuar edhe për formimin e institucioneve të Kosovës.
Ambasadori britanik ka thënë se institucionet duhet të formohen sa më shpejt, në mënyrë që Kosova të fokusohet në shërbimet për qytetarët dhe objektivat e përbashkëta ndërkombëtare.
Ndërkaq, LDK-ja ka bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale politike dhe procesin e konstituimit të institucioneve.