Pas dënimit në shkallën e parë, ka nisur procedura e ankimimit për katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Të katër u dënuan javën e kaluar me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.
Ekipet e mbrojtjes kanë nisur procedurat për ta njoftuar Gjykatën Speciale se cilat pjesë të vendimit do t’i apelojnë. Afati për këtë është deri të premten, më 25 shtator.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.
Mbrojtja pritet të kundërshtojë disa pjesë të vendimit, përfshirë ato që lidhen me përgjegjësinë për vrasjet dhe ndalimet e paligjshme.
Avokati i viktimave ka afat deri më 14 tetor për të dorëzuar provat për dëmshpërblimet, ndërsa Prokuroria deri më 4 nëntor për të paraqitur shkresat e saj.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë për Radio Kosovën se procesi i Apelit mund të zgjasë disa muaj, pasi përfshin disa hapa deri në vendimin përfundimtar.
Ndërkohë, PDK-ja ka dorëzuar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Sipas PDK-së, synimi është rritja e llogaridhënies dhe transparencës së kësaj gjykate.