Errët
Ndritshëm

Diaspora paralajmëron protesta pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

19.09.2026

Pas protestave në Kosovë, tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë paralajmëruar edhe në diasporë.

Platforma “Liria ka Emër” ka njoftuar se tubime do të mbahen në Vjenë, Këln, Cyrih dhe Kanada. Ndërkohë, të premten një protestë u mbajt edhe në Munih.

Këto tubime vijnë pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat të mërkurën shpallën fajtorë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.

Në Prishtinë, mijëra qytetarë morën pjesë të premten në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Protestuesit kërkuan ndryshimin ose shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, si dhe mbështetje financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

Errët
Ndritshëm