Errët
Ndritshëm

Komuna e Prishtinës: Asnjë objekt nuk guxon të përdoret pa certifikatë

03.08.2026

Drejtoria e Inspektoratit të Kryeqytetit ka njoftuar se asnjë objekt nuk mund të vihet në përdorim pa kaluar Inspektimin Final dhe pa u pajisur me Certifikatë të Përdorimit.

Sipas njoftimit, ky detyrim vlen për objektet individuale dhe kolektive të banimit, objektet banesore-afariste, afariste, industriale, publike, si dhe për çdo objekt tjetër që hyn në kategorinë e parë dhe të dytë sipas Ligjit për Ndërtim.

Inspektorati ka bërë të ditur se investitorët do të njoftohen edhe individualisht që të mos i dorëzojnë banesat, lokalet apo hapësirat shfrytëzuesve dhe të mos lejojnë përdorimin e objekteve deri në përfundimin e Inspektimit Final dhe lëshimin e Certifikatës së Përdorimit.

Njëkohësisht, u është bërë thirrje qytetarëve që të mos pranojnë në dorëzim banesa apo lokale pa këtë certifikatë, pasi objekti nuk konsiderohet i verifikuar zyrtarisht për përdorim të sigurt.

Komuna ka paralajmëruar se ndaj çdo objekti që vihet në përdorim në kundërshtim me ligjin do të merren masa, përfshirë ndërprerjen e përdorimit, lirimin e objektit, gjoba administrative dhe procedura të tjera ligjore.

Sipas Inspektoratit, Inspektimi Final dhe Certifikata e Përdorimit janë mekanizma që garantojnë se objekti është ndërtuar sipas standardeve dhe nuk paraqet rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Errët
Ndritshëm