Errët
Ndritshëm

KFOR-i dhuron pajisje për Njësinë e Zjarrfikësve në Klinë

27.06.2026

Ushtarët e ekipit për Bashkëpunim Civil-Ushtarak (CIMIC) të Komandës Rajonale Perëndim (RC-W), në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë dhuruar pajisje zjarrfikëse dhe shpëtimi për Stacionin e Zjarrfikësve në Komunën e Klinës.

Sipas njoftimit të KFOR-it, ky donacion synon të forcojë kapacitetet operacionale të njësisë dhe të rrisë gatishmërinë e saj për t’iu përgjigjur në mënyrë më efektive zjarreve dhe ndërhyrjeve të tjera emergjente.

KFOR thekson se iniciativa të tilla dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të misionit për të bashkëpunuar me partnerët lokalë, me qëllim garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Në njoftim rikujtohet se KFOR vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë, në mënyrë të paanshme.

Po ashtu, bëhet e ditur se KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në përputhje me përgjegjësitë e veta në fushën e sigurisë.

Errët
Ndritshëm