Errët
Ndritshëm

Kërkohet dorëheqja e Abdixhikut, LDK-ja përballet me përçarje të brendshme

24.06.2026

Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me tensione të brendshme pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ku doli partia e tretë në vend.

Degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke e konsideruar atë përgjegjës për rezultatin zgjedhor dhe duke kërkuar reflektim politik.

Abdixhiku ka refuzuar dorëheqjen, duke i cilësuar kërkesat si veprime të koordinuara dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryetarëve të degëve në Pejë dhe Lipjan. Ai ka akuzuar disa individë për tentativa të përçarjes së partisë dhe ka thënë se nuk do të lejojë projekte që synojnë ndarjen e LDK-së.

Ndërkohë, nënkryetarja e partisë Doarsa Kica-Xhelili ka bërë thirrje për unitet, duke theksuar se rezultati zgjedhor kërkon reflektim, por jo përçarje.

“Ju bëj thirrje për unitet. Për unitet të sinqertë. Për unitet të përgjegjshëm. Për unitet që nuk e mohon debatin, por nuk lejon që debati ta kthejë LDK-në në përçarje”, ka deklaruar Doarsa Kica-Xhelili.

Përplasjet në LDK kanë nxitur reagime edhe nga zyrtarë të Vetëvendosjes, të cilët kanë komentuar publikisht zhvillimet e fundit brenda partisë opozitare.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK mori 16.69 për qind të votave dhe siguroi tre deputetë më shumë se në legjislaturën e kaluar, por mbeti forca e tretë politike në vend.

Errët
Ndritshëm