FIFA po përgatitet për mundësinë e tërheqjes së Iranit nga Kupa e Botës 2026, duke hartuar një plan emergjence. Pozicioni i kombëtares iraniane në turneun e verës së ardhshme mbetet i pasigurt, si pasojë e tensioneve të vazhdueshme nga konflikti Iran–SHBA.
Kjo pasiguri vijon pavarësisht garancive të dhëna nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, se skuadra aziatike do të jetë pjesë e garës globale.
Irani mund të detyrohet të tërhiqet nga Botërori, veçanërisht pasi FIFA refuzoi kërkesën për zhvendosjen e ndeshjeve të këtij ekipi jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara. Një vendim i tillë do ta vendoste organin drejtues të futbollit botëror në një pozitë mjaft të vështirë, vetëm pak javë para fillimit të turneut.
Megjithatë, FIFA duket se ka nisur zhvillimin e një strategjie rezervë. Burime nga The Athletic bëjnë me dije se po diskutohet organizimi i një “play-off”-i emergjent ndërkontinental në rast të tërheqjes zyrtare të Iranit. Ky format do të përfshinte katër ekipe që nuk kanë siguruar kualifikimin: dy nga Azia dhe dy nga Evropa.
Falë renditjes së lartë në ranglistën botërore, Italia konsiderohet si një nga pretendentet kryesore për të zënë një nga vendet evropiane në këtë “play-off” hipotetik. “Azzurrët” dështuan të kualifikoheshin direkt pas humbjes kundër Bosnjë dhe Hercegovinës, duke mbetur jashtë Kupës së Botës për herë të tretë radhazi, pas dështimeve në vitet 2018 dhe 2022.