Drita dhe Shkëndija rikthehen sonte në arenën europiane, me dy përballje vendimtare që mund të përcaktojnë fatin e tyre në këtë edicion të UEFA Conference League.
Pas humbjes 0–3 ndaj AZ Alkmaar në xhiron e kaluar, Drita ka rënë në vendin e 19-të të renditjes, por shpresat për kualifikim mbeten të gjalla.
Për këtë duel historik, Drita udhëton drejt Spanjës, ku nga ora 21:00 do të përballet me Rayo Vallecanon, skuadër e La Ligës. Një kundërshtar i fortë, që aktualisht renditet në vendin e 13-të në kampionatin spanjoll dhe që këtë sezon ka marrë pikë edhe ndaj gjigantëve si Barcelona dhe Real Madridi.
Megjithatë, trajneri Zekirija Ramadani mbetet optimist dhe beson te motivimi i skuadrës së tij:
“Kam ndjekur ndeshjet e Vallecanos kundër Real Madridit dhe Barcelonës. Është një ekip agresiv dhe shumë i motivuar, por nuk mund të kenë motivin tonë. Përballë kemi një skuadër me traditë nga La Liga dhe besoj se lojtarët tanë do të jenë maksimalisht të përgatitur.”
Në anën tjetër, edhe Shkëndija përmbyll sonte fazën e grupeve, duke u përballur në raundin e gjashtë me AEK Larnaca nga Qipro. Kjo përballje shënon një moment historik, pasi është hera e parë që AEK Larnaca ndeshet me një skuadër nga Maqedonia e Veriut, si dhe hera e parë që Shkëndija luan kundër një ekipi qipriot.
Një rezultat pozitiv do t’i siguronte Shkëndijës një vend në top 24 dhe avancimin në fazën tjetër të kompeticionit. Trajneri Jeton Beqiri e vlerëson kundërshtarin, por beson në potencialin e ekipit të tij:
“AEK Larnaca është një skuadër cilësore, me mbrojtje shumë të fortë, por ne nuk kemi frikë nga asnjë kundërshtar. Duhet të luajmë në maksimum për të marrë rezultatin që synojmë.”