FIFA nuk e bëri “hesap” Raphinhan.
As 63 gola + asistime nuk i mjaftuan brazilianit për një vend në 11-shen e më të mirëve të botës, të publikuar të martën nga FIFA. Një shifër që zakonisht hap dyert e elitës, por që këtë herë mbeti thjesht statistikë.

Raphinha u la jashtë pavarësisht se në shtator ishte renditur i pesti në Topin e Artë, një fakt që e bën vendimin edhe më të vështirë për t’u arsyetuar. Kjo përzgjedhje u bë përmes një procesi votimi ku përfshihen kapitenët e kombëtareve, trajnerët, gazetarët sportivë dhe tifozët nga e gjithë bota, çka i dha edhe më shumë peshë debatit të ndezur në rrjete sociale.

“Jam tifoz i Real Madridit, por sinqerisht, kjo nuk është aspak e drejtë për Raphinhan. Ai renditet pas Dembélés vetëm për shkak të trofeve të fituar, jo për kontributin apo arritjet individuale. Kjo situatë është krejtësisht e paqëndrueshme,” shkroi një tifoz.

“Rapha luajti futboll, FIFA gjykoi basketboll. Vetëm kështu shpjegohet kjo grabitje,” shtoi një tjetër.
Sezoni 2025/26 nisi me pengesa për 28-vjeçarin për shkak të lëndimeve, por rikthimi i tij ka qenë i qartë. Me 6 gola dhe 3 asistime në vetëm 10 ndeshje të La Ligës, Raphinha po dëshmon se forma mund të luhatet, por ndikimi i tij te Barcelona mbetet constant, pavarësisht se çfarë thotë lista e FIFA-s.