Lionel Messi ka rikonfirmuar edhe një herë se suksesi kolektiv ka më shumë peshë për të sesa çdo çmim individual. Në një prononcim të fundit, i cili citohet nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, kapiteni argjentinas u pyet se çfarë do të zgjidhte mes një Ballon d’Or tjetër dhe një tjetër triumfi në Kupën e Botës.
“Një tjetër Kupë Bote apo një tjetër Top të Artë? Do të zgjidhja një tjetër Kupë Bote”, tha Messi, duke e vënë sërish në pah lidhjen emocionale që ka me fanellën e Argjentinës. Ai shtoi se mes pronarit të klubit dhe trajnerit, ai do të zgjedhte të parin, pasi “patjetër pronari i klubit” ka ndikimin më të madh në të ardhmen e një lojtari.
Messi është pjesë e Inter Miami që nga korriku i vitit 2023, pas largimit nga Paris Saint-Germain si futbollist i lirë. Që prej atëherë, ai ka qenë figura qendrore e projektit sportiv në MLS, teksa vazhdon të tërheqë vëmendjen e botës së futbollit.
Me tetë çmime Ballon d’Or dhe një Kupë Bote të fituar në vitin 2022, 38-vjeçari mbetet një nga futbollistët më të dekoruar në histori. Megjithatë, deklaratat e tij të fundit tregojnë se për Messin, lavdia e kombëtares mbetet kulmi absolut i karrierës.