Errët
Ndritshëm

Delegim historik për arbitrat kosovarë në Evropë

18.08.2025
Genc Nuza 3 Copy

Për herë të parë në histori, një ekip gjyqtarësh nga Kosova do të udhëheqë një ndeshje të fazës “play-off” në garat evropiane të UEFA-s.

UEFA ka deleguar Genc Nuzën si gjyqtar kryesor për përballjen mes Strasbourg dhe Brøndby në kuadër të “play-offit” të Ligës së Konferencës. Ndeshja do të zhvillohet të enjten në “Stade de la Meinau” në Francë, duke nisur nga ora 20:00.

Ky delegim vjen si një njohje e madhe për Nuza, i cili është shpallur shtatë herë gjyqtari më i mirë në Kosovë, duke konfirmuar besimin e vazhdueshëm të UEFA-s ndaj tij. Përkrah Nuzës do të jenë asistentët Bujar Selimaj dhe Granit Hyseni, ndërsa në sistemin VAR do të angazhohet gjyqtari holandez Clay Ruperti, me Dardan Çakën si AVAR. Rolin e gjyqtarit të katërt do ta mbajë Burim Jahmurataj.

Ky moment historik përfaqëson një hap të madh për prezencën e Kosovës në futbollin evropian dhe vlerësimin e punës së palodhur të gjyqtarëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.

Errët
Ndritshëm